Kritikat e vazhdueshme të Zhoze Murinjos për futbollin turk, kanë kthyer trajnerin portugez në një emër të padëshiruar nga rivalët e Fenerbahçes që ai drejton. Dhe tashmë kundërshtarët nuk po ngurrojnë që të flasin hapur kundër trajnerit portugez.
Emri më i njohur që i ka dalë kundër Murinjos pas deklaratave të tij se futbollin turk nuk e shihte askush në botë, është Fernando Muslera. Portieri uruguaian i Gallatasarajit, i është kundërvënë direkt portugezit.
“Fyerjet që po i bën futbollit turk dhe sulmet që po bën ndaj disa gjyqtarëve, janë gjëra që po më bezdisin. Kjo është hera e parë në 14 vite që ndjehem i detyruar të bëj deklarata të këtij lloji.
Kam fituar 17 trofe ne 14 vite. Nëse marrim në konsideratë kontributin tim, objektivi im i vazhdueshëm është përmirësimi i futbollit turk. Nëse Murinjo i cili ka ardhur këtu prej katër muajsh, kritikon futbollin turk dhe nuk i pëlqen, mund të largohet nëse ka dëshirë. Askush nuk thotë asgjë. Mendoj se tani dikush mund t’i thotë diçka,. Duhet t’u jepet më shumë vëmendje atyre që duan që të përmirësojnë futbollin turk”, ishte sulmi i ashpër i Musleras, duke lënë të kuptohet se sipas tij, me Murinjon një gjë e tillë nuk ishte në plan të parë.
PANORAMASPORT.AL