Ish-trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, ka qenë protagonist i numrit të fundit të revistës “France Football”. Ish-tekniku i katalanasve deri në sezonin e kaluar ka thyer heshtjen për të folur për futbollin që e do aq shumë. Mes të tjerave, ai ka pranuar se po dëgjon ofertat për t’u rikthyer në stol. Ai nuk përjashton asgjë, madje as mundësinë e trajnerit të një ekipi tjetër të La Ligas që do të rivalizonte Barcelonën e tij. Në revistën franceze, katalanasi ka kujtuar karrierën e tij si futbollist dhe kohën e tij si trajner te Barça, ku ai beson se la gjurmë. Ksavi tha gjithashtu se aventura e tij nuk përfundoi mirë dhe se dashuria e tij për klubin nuk i bëri asnjë favor.
Çfarë të pëlqen të shohësh tani nga futbolli?
Më pëlqen të shikoj ato skuadra që luajnë mirë me top. Më pëlqen të shoh trajnerë si Guardiola, Arne Slot te Liverpuli apo Kompani te Bajerni, por edhe të shoh kampionatet në Katar, Arabinë Saudite, Portugali… Unë dua që lojtarët të argëtohen, të zhvillojnë një stil futbolli që është tërheqës për tifozët dhe të fitojnë tituj. Dua të fitoj Ligën e Kampionëve, Kampionatin Evropian, Kupën e Botës…
Cila është e ardhmja e Ksavit?
Unë nuk kam vendosur asgjë për momentin. Jam i hapur për oferta. Unë jam duke kërkuar për një projekt emocionues, kam ambicie për të fituar trofe. Ky projekt nuk përjashton as La Ligën.
Cila është filozofia e lojës së Ksavit si trajner?
Krojfi pati një ndikim të madh tek unë. Për mua, futbolli është para së gjithash një lojë. Sigurisht, qëllimi është të fitosh, por kjo është e natyrshme nëse luan mirë dhe argëtohesh në fushë. Filozofia ime bazohet në katër “P” (sipas gjuhës spanjolle): presingu për të rikuperuar shpejt topin; zotërimi i topit (posesion), sepse nëse nuk e kam topin, unë e di se ku skuadra është në 90% të kohës; pozicioni ku secili të mbulojë hapësirën e vet dhe ta dijë ku e ka shokun; perceptimi, kuptimi i lojës dhe parashikimi për të marrë vendimet më të mira. Ndoshta do t’i shtoja dhe një “P” të pestë: pasioni, sepse, nëse lojtari ndihet i plotësuar, ai do ta përjetojë suksesin më natyrshëm.
Cilët janë trajnerët më të mirë sipas Ksavit?
Akademia e Barcelonës (“La Masia”) dhe pozicioni im në fushë si mesfushor më kanë dhënë shumë avantazhe. Gjithnjë e kam parë futbollin si një tërësi. Nuk kam menduar asnjëherë vetëm për mbrojtjen apo vetëm për sulmin. Për mua trajnerët më të mirë janë mesfushorët. Shembujt janë të gjallë: Guardiola, Van Gal, Ançeloti, Ksabi Alonso, Arteta…
A mund të na thoni diçka për aventurën te Barcelona si trajner?
Barça kishte ardhur të më kërkonte dy herë përpara se të bëhesha trajner, por unë ende nuk ndihesha gati. Kjo është arsyeja pse kalova dy sezone e gjysmë në Al Sad, ku munda të stërvitja, të provoja gjërat dhe të fitoja tituj. Më pas kalimi te Barcelona, ku për një vit e gjysmë gjithçka shkoi shumë mirë. Më pas erdhën goditjet. Largimet e Jordi Krojf dhe Mateu Alemani ishin të forta. Mund ta them i bindur se pritshmëritë e klubit ishin shumë të larta në krahasim me historinë time si trajner. Lidhja ime e thellë me Barçën ndonjëherë nuk më bënte favore. Ndoshta ndonjëherë isha shumë sentimental, por ishte një përvojë e vërtetë mësimore.
A mendoni se ju ka munguar “Topi i Artë”?
Shikoni, unë nuk e konsideroj veten një futbollist më të mirë se Mesi apo Kristiano Ronaldo, aspak. Unë kam qenë një organizator, por nuk kam pasur aftësinë për të vendosur një ndeshje i vetëm. Jam krenar që kam përfunduar tri herë i treti… Ajo foto me Iniestën dhe Leon është historike. Për mua, është fitorja e një filozofie, një stil unik, një histori unike.
Spanja më e mirë…
Më parë, ishte utopike që një spanjoll mund të fitonte Kupën e Botës dhe me atë gjeneratë ne ndryshuam mentalitetin. Më parë, mbërritja në çerekfinale cilësohej një arritje. Sot, nëse nuk fitojmë, duket pothuajse si një dështim. Ndryshuam historinë e futbollit spanjoll. Ai ekip do të mbahet mend përgjithmonë. Luis Aragonés na dha një ndjenjë përkatësie, ne ishim si një familje.
PANORAMASPORT.AL