Herri Kejn i ka thënë “Sky Sports” se është i uritur për më shumë sukses, pasi fitoi trofeun e parë të madh të karrierës së tij me Bajernin e Mynihut. Anglezi festoi një triumf në Bundesligë me rekordmenët gjermanë gjatë javës së kaluar dhe të shtunën shënoi në ndeshjen e tyre të fundit të sezonit, duke fituar çmimin e golashënuesit më të mirë për të dytin vit radhazi.
Kapiteni i Anglisë thotë se ishte një ndjenjë e veçantë të prekte një trofe dhe po synon më shumë të tillë me Bajernin dhe ekipin kombëtar. “Ishte e pabesueshme”, tha Kejn për suksesin e tij këtë sezon. “Ka kohë që e prisja. Kam pasur disa dështime të afërta, por ajo ndjesi pasi u bë zyrtare, ishte gjithçka që shpresoja.
Ishte shumë punë e palodhur dhe përkushtim i përfshirë në atë moment. Një barrë që u hoq nga supet. Një festë pas një sezoni të vështirë gjithashtu. Do të më kishte pëlqyer shumë të kisha fituar një trofe më herët në karrierën time. Por edhe tani që kam fituar, ok, mund të ndryshojë perceptimin për shumë njerëz. Ta shijojmë, por le të shkojmë përsëri. Do të shohim se sa të tjerë mund të fitojmë. Jam në një klub të shkëlqyer, ndihem shumë mirë vetë, kështu që po përpiqem të vazhdoj të përmirësohem.
Nuk do ta lejoj këtë të më ngadalësojë. Ka ende shumë për të arritur. Shumë trofe për t’u fituar, disa nga më të mëdhenjtë. Edhe me ekipin kombëtar, kemi një turne verën e ardhshme dhe kemi qenë jashtëzakonisht afër dhe e di që kjo është diçka që jo vetëm unë, por e gjithë skuadra është e etur ta arrijë”. Ish-klubi i tij, Totenhemi, mund t’i japë fund pritjes së gjatë për një trofe të mërkurën, kur do të përballet me Mançester Junajtidin në finalen e Ligës së Europës dhe golashënuesi më i mirë i “Spërsave” shpreson se ata mund të kenë momentin e tyre të veçantë në Bilbao. “Ka qenë një sezon i vështirë për Totenhemin në Premier Ligë, por ata kanë mundësinë ta bëjnë atë një nga sezonet më të mira në historinë e kohëve të fundit”, tha Kejn.
PANORAMASPORT.AL