Ronaldinjo nuk del kurrë nga moda. Edhe pse vitet e tij më të mira kanë mbaruar, kur topi ishte aleati i tij më i mirë, pasioni për brazilianin mbetet i paprekur në çdo cep të planetit.Mijëra tifozë gjeorgjianë u mblodhën në Tbilisi fundjavën e kaluar për ta parë atë përsëri me fanellën e Barcelonës në një aktivitet të organizuar nga “Sports Orient” me “Legjendat e klubit”. Buzëqeshja e tij ngjitëse si një virus, përshëndetja e tij e përjetshme prej surfisti dhe ajo aura e veçantë që ka, e bëjnë atë të vazhdojë të jetë një fenomen masiv.
Edhe lojtarët më të rinj, të cilët nuk mundën ta shijonin atë personalisht, u mblodhën rreth dyerve të hotelit dhe stadiumit Dinamo Tbilisi për të bërë një foto ose për të marrë një autograf nga numri 10. Ikona e Brazilit dhe Barcelonës ka dhënë një intervistë për gazetën spanjolle “Marca”, ku ka prekur të gjitha temat, Lamin Jamal dhe Leo Mesi, Ançeloti te Brazili, finalja e Ligës së Kampioneve dhe Reali i Madridit… “Topin e Artë” dhe Viniciusin.
Çfarë ju mungon më shumë nga koha juaj si futbollist?
Më mungon gjithçka, sepse kam bërë të njëjtën gjë gjithë jetën time, veçanërisht atmosfera në dhomën e zhveshjes. Jam i kënaqur që tani luaj këto lloj ndeshjesh me miq të vjetër, duke veshur fanellën e një klubi ku kam kaluar kaq shumë gjëra, kaq shumë histori të bukura.
A e shijoni këtë Barcelonë më shumë se vitet e shkuara?
Pas viteve të vështira, klubi tani po buzëqesh përsëri dhe kjo më gëzon pa masë.
A është vërtet kjo Barcelonë më e fortë se Reali?
Janë dy ekipe të shkëlqyera, me lojtarë të nivelit të lartë. Këtë sezon, Barça duket se ia ka marrë masën e Realit, duke i mposhtur gjithnjë dhe kudo. Shpresoj që të vazhdojë gjatë ta bëjë kështu.
Barça kërkon dhe Ligën e Kampioneve. A mund ta bëjë me këta të rinj?
Shpresoj… Ata kanë futbollistë të rinj që nuk kanë frikë nga asgjë, që luajnë me vetëbesim dhe plot talent. Është një ekip që e di për çfarë luan dhe Flik ka bërë një punë të jashtëzakonshme.
Lamin Jamal është 17 vjeç. As Mesi dhe as ju nuk ishit aq të mirë në një moshë kaq të re…
Provokim ky? (qesh) Unë dhe Leo Mesi kemi bërë tashmë histori, tani është radha e Lamin Jamal të bëjë të njëjtën gjë. Është e jashtëzakonshme ajo që ka treguar deri më tani, duke qenë kaq i ri, me kaq shumë talent. Më pëlqen të shoh lojtarë si ai, ata i bëjnë mirë futbollit. Shpresoj të ketë një karrierë si e jona.
Si mendoni, a është krahasimi i tij me Leon diçka e mirë apo e keqe?
Nuk më kanë pëlqyer kurrë këto lloj krahasimesh, sepse çdo futbollist ka stilin e tij të lojës. Gjëja e rëndësishme është që Jamal u sjell gëzim njerëzve, siç bëra unë në kohën time ose siç bëri Mesi më vonë. Shpresoj që ai tani të vazhdojë me projeksionin që ka treguar deri më sot.
Çfarë mendimi keni për finalen e Ligës së Kampioneve. Kë shihni si favorit?
Unë uroj të fitojë Parisi, sepse kam luajtur atje. PSGja më trajtoi me shumë dashuri kur arrita në Evropë dhe unë e kam ndjekur këtë ëndërr për shumë vite. Tani ata kanë një trajner të shkëlqyer, i cili është gjithashtu një mik i mirë, dhe shpresoj që gjërat të përfundojnë mirë me atë Ligë të Kampionëve të shumëpritur.
Ançeloti do të shkojë në Brazil si trajner. A të pëlqen?
Më pëlqen shumë. Kemi punuar së bashku, e njoh mirë dhe mendoj se është një vendim i mirë nga ana e Federatës Braziliane të Futbollit. Si brazilian, jam i lumtur dhe shpresoj që ai të bëjë një punë të shkëlqyer dhe të fitojë Kupën e Botës të radhës.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL