Sot në mbrëmje në orën 20:45 në “Air Albania”, Shqipëria e Sylviinho-s do të ketë përballë Letoninë në një përballje mjaft delikate e cila do të tregojë shumë mbi aspiratat e kuqezinjve në kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Me kalimin e orëve janë zvogëluar edhe dilemat e Sylvinho-s sa i përket formacionit. Kështu me aq sa është kuptuar deri më tani trajneri brazilian ka vetëm një dilemë, e cila ka të bëjë me repartin e sulmit.
Në këtë repart tekniku brazilian është në dyshim nëse të aktivizojë nga minuta e parë Manajn ose Dakun. Në portë nuk priten ndryshime pasi do të jetë Thomas Strakosha, ndërsa në mbrojtje nga krahët do të aktivizohen Hysaj dhe Mitaj, të cilët do të plotësojnë repartin së bashku me dyshen Gjimshiti-Ajeti.
Në mesfushë do të rreshtohen 3 futbollistë, Shehu, Asllani dhe Berisha, ndërsa nga krahët e sulmit do të jenë Broja dhe Hoxha.