Kapiteni i dytë i Shqipërisë, Elseid Hysaj, foli pas fitores minimale 1-0 ndaj Letonisë, duke theksuar rëndësinë e tri pikëve, por edhe nevojën që skuadra të tregojë më shumë në fazën sulmuese. Ai u ndal edhe te Broja, potenciali i tij dhe emocionet për barazimin e rekordit të Lorik Canës me fanellën kuqezi.
“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme dhe fitorja ishte e domosdoshme për të mbajtur gjallë ëndrrën tonë. Jam i lumtur që morëm tri pikët, edhe pse ishte një sfidë e lodhshme si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Këto ndeshje nuk duhet t’i lëmë në 1-0, por t’i mbyllim më shpejt, sepse gjithçka mund të komplikohet në fund. Futbolli ka ndryshuar, duhet të jemi më konkretë dhe të shfrytëzojmë rastet për të shënuar golin e dytë. Broja është një lojtar me potencial të madh, përpiqem ta vendos në pozicionin më të mirë dhe jam i bindur se herët a vonë do të shpërthejë. Sa i përket rekordit të Canës, është një ëndërr të barazosh një legjendë si ai. Shpresoj ta kaloj dhe të arrij 100 ndeshje, sidomos nëse ndaj Serbisë arrijmë të fitojmë, do të ishte ndeshja më e bukur e jetës time.”