Real Madrid po kalon një moment fantastik nën drejtimin e Xabi Alonsos. “Los Blancos” shënoi fitoren e pestë radhazi në La Liga këtë sezon, duke mposhtur Espanyolin me rezultat 2:0 dhe duke ruajtur kreun e tabelës me ecuri perfekte.
Përveç rezultatit, kjo ndeshje shënoi edhe një moment historik për trajnerin bask. Me këtë sukses, Alonso u bë vetëm trajneri i tretë në historinë e Real Madridit që arrin të fitojë pesë ndeshjet e para të kampionatit spanjoll.
Para tij, këtë arritje e kanë shënuar vetëm Jose Quirante në vitin 1929, gjatë edicionit të parë të La Ligas dhe Vanderlei Luxemburgo në vitin 2005.
Ky rekord e vendos Alonson në një listë shumë të veçantë dhe tregon ndikimin e menjëhershëm që ka pasur te skuadra madrilene. Ekipi i tij jo vetëm që po fiton, por po shfaq një qetësi dhe stabilitet që e ka karakterizuar edhe gjatë karrierës së tij si futbollist.
Në një kampionat aq të fortë sa La Liga, të fitosh pesë ndeshjet e para është një tregues i qartë i ambicieve të Real Madridit këtë sezon. Statistikat tregojnë se në gjithë historinë e ligës spanjolle, vetëm 11 trajnerë kanë arritur të fitojnë pesë ndeshjet hapëse të sezonit, duke e bërë këtë sukses edhe më të rrallë.
Për tifozët e Real Madridit, ky është një sinjal i fortë se skuadra ka gjetur stabilitetin e duhur pas ndryshimeve të fundit në stol.