Fundjava e Ferrarit në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit solli edhe një herë zhgënjim, mes gabimeve në kualifikime dhe një gare pa shkëlqim. Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton nuk shkuan më larg se vendi i tetë dhe i nëntë, ndërsa tensionet shpërthyen në fund të garës për një episod mes dy pilotëve të skuadrës së Maranellos.
Gjatë komunikimit me radion e ekipit, Leclerc u ankua për faktin që Hamilton nuk i ktheu pozicionin në pistë:
“Po flasim vetëm për vendin e tetë. Ai (Hamilton) mund të jetë i lumtur, por për mua kjo është një zgjedhje e pamenduar, jo e drejtë.”
Megjithatë, pas përfundimit të garës, piloti nga Monako u përpoq ta zbuste deklaratën, duke pranuar gabimin e vet në kualifikime:
“Nuk dua të gjykojmë potencialin e makinës sonë nga kjo garë. Nisja nga vendi i dhjetë ishte përgjegjësia ime, për shkak të një gabimi në Q3. Kishim edhe një problem me motorin, ndaj për disa xhiro më shumë u detyrova të mbrohesha në vend që të sulmoja. Pastaj problemi u zhduk, por nuk ishte e mjaftueshme për të fituar terren.”
Leclerc pranoi se Ferrari ende nuk ka arritur një fitore në këtë sezon 2025 dhe nuk dëshiron të krijojë iluzione tek tifozët:
“Do të jetë shumë e vështirë, por nëse vjen një surprizë do të jem i lumtur. Episodi me Hamiltonin nuk është fundi i botës, flasim për një vend të tetë dhe të nëntë. Ajo që më shqetëson më shumë është paraqitja e dobët në këtë fundjavë.”
Vasseur: Gjithçka u komprometua të shtunën
Shefi i Ferrarit, Frédéric Vasseur, theksoi se çelësi i dështimit ishte paraqitja e dobët në kualifikuese:
“Nëse do të kishim startuar nga rreshti i parë, gara do të kishte qenë krejt tjetër. Makina ka potencial, por ne nuk po arrijmë ta shfrytëzojmë siç duhet. Në krahasim me McLaren, kemi karakteristika të ngjashme, dhe kur ata nuk shkëlqejnë, nuk shkëlqejmë as ne. Ndërsa Mercedesi dhe Red Bulli janë më konstantë. Kemi bërë hapa përpara që nga Spa, por gabimet dhe mungesa e oportunizmit na kanë ndëshkuar.”
Mercedesi përfitoi nga dobësitë e Ferrarit, duke kaluar në renditjen e Konstruktorëve falë podiumit të Russell dhe vendit të katërt të Antonellit.
Më i shkurtër në analizën e tij ishte Hamilton:
“Sigurisht jam i zhgënjyer. Duhet të shohim çfarë mund të kishim bërë ndryshe. Operativisht, dje mund të kishim punuar më mirë. Gjithsesi, ndiej se kam bërë hapa përpara pas pushimit veror, por ishte e pamundur të kalonim rivalët. Gara në Baku ishte e pazakontë, me pak manovra parakalimi.”
Ferrari mbetet kështu në krizë rezultatash, ndërsa tifozët presin ende një sinjal pozitiv në garat e ardhshme.