Edon Zhegrova po punon me përkushtim për të rindërtuar karrierën e tij dhe për t’u shndërruar në një figurë kyçe te Juventusi, klubi që këmbënguli për transferimin e tij gjatë afatit kalimtar të verës dhe ku vetë lojtari dëshironte me ngulm të shkonte.
Pas një mungese thuajse njëvjeçare për shkak të një dëmtimi, anësori kosovar është i vetëdijshëm se rruga drejt formës së tij më të mirë është ende e gjatë.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Zhegrova ka dhënë tashmë një mesazh të fortë për përkushtimin e tij.
Pavarësisht se trajneri Igor Tudor i kishte dhënë skuadrës dy ditë pushim, 26-vjeçari vendosi të paraqitet në qendrën stërvitore të Juventusit një ditë më herët se të tjerët.
Ky veprim është interpretuar si një sinjal i qartë i dëshirës së tij për të përshpejtuar rikuperimin dhe për të treguar gatishmërinë për t’i dhënë “Zonjës së Vjetër” një alternativë të vlefshme në repartin ofensiv.
Brenda klubit, Zhegrova shihet si një “armë e fshehtë” për pjesën tjetër të sezonit, ndërsa lojtari po bën gjithçka që është e mundur për t’u rikthyer sa më shpejt në nivelin më të lartë.
Ambicia e tij është e qartë: të bëhet një protagonist i vërtetë në fanellën bardhezi.