Ministria e Kulturës,Rinisë dhe Sporteve ka dalur me një reagim lidhur me zhvillimet pas zgjedhjes së Bekë Berishës në krye të KB Prishtina.
MKRS bën të ditur se zgjedhja e Berishës nuk është e lejuar,duke u arsyetuar se Berisha u zgjodh si deputet në Kuvendin e Kosovës.
Njoftim për publikun
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është njoftuar për zhvillimet lidhur me zgjedhjen e z. Bekë Berisha në pozitë udhëheqëse në KB “Sigal Prishtina” në Kuvendin e klubit të mbajtur më 14 janar 2026.
Duke marrë parasysh se z. Berisha është deputet i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, MKRS rikujton detyrimin e të gjitha palëve të përcaktimeve të Ligjit Nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit që parasheh që zyrtari i lartë, mund të jetë anëtar i organit drejtues të OJQ-ve nga fusha e sportit, por jo menaxher/ përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare (neni 13 i Ligjit Nr.06/L – 011) dhe bartës i funksionit drejtues (neni 14 i Ligjit Nr.06/L – 011 ), si dhe obligimin që çdo situatë e konfliktit të interesit të parandalohet e të zgjidhet brenda afatit prej 30 ditësh nga marrja e detyrës (neni 8 i Ligjit Nr.06/L – 011).
Në këtë kontekst, MKRS kërkon nga të gjitha palët që të kujdesen për zbatimin e ligjit konkretisht që z. Berisha, pas betimit dhe marrjes së detyrës në legjislaturën e re, t’i ndërmarrë masat e nevojshme brenda afateve ligjore për të shmangur çdo konflikt të interesit, në përputhje me ligjin në fuqi. MKRS do të përcjellë situatën dhe do të bashkëpunojë me institucionet relevante, përfshirë Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, me qëllim të ruajtjes së integritetit në sport dhe respektimit të standardeve të qeverisjes së mirë.
Përndryshe MKRS kërkon nga FBK që në bazë të ligjit për sport të siguroj që në zgjedhjet e organeve të KB Prishtina janë zbatuar ose do të zbatohen të gjitha detyrimet lidhur me ruajtjen e integritetit ligjor sportiv


