Tuesday, 27. January 2026
Sport

​Shaqiri bëhet me trajner të ri

GS 27/01/2026 2 Min. Lesezeit

FC Basel 1893 ka zyrtarizuar emërimin e Stephan Lichtsteinerit si trajner të ri kryesor të ekipit të parë, duke i dhënë fund bashkëpunimit me Ludovic Magnin. Ish-kapiteni i përfaqësueses së Zvicrës merr drejtimin e një skuadre ku pjesë e rëndësishme mbetet edhe reprezentuesi tjetër zviceran, Xherdan Shaqiri, një nga figurat kryesore të ekipit në këtë fazë të sezonit.

Klubi bën të ditur se Lichtsteiner ka nënshkruar kontratë afatgjate deri në verën e vitit 2029, ndërsa në stafin teknik do t’i bashkohet edhe Pascal Bader si ndihmës trajner. 42-vjeçari e njeh mirë ambientin e Baselit, pasi më herët ka punuar në akademinë e klubit, duke drejtuar ekipet U15 dhe U16, si dhe duke qenë përgjegjës për punën mbrojtëse në të gjitha kategoritë e reja.

Në komunikimin zyrtar, Lichtsteiner ka shprehur bindjen për projektin afatgjatë të FC Basel, duke vlerësuar sfidën që i është ofruar edhe pse erdhi më herët se sa ishte planifikuar. Nga ana tjetër, drejtori sportiv Daniel Stucki ka theksuar se klubi është i vetëdijshëm për mungesën e përvojës së tij në nivelin më të lartë si trajner kryesor, por ka shprehur besim të plotë në aftësitë e tij taktike, mentalitetin fitues dhe përvojën e madhe nga situatat me presion të lartë si lojtar, elemente që pritet të ndikojnë pozitivisht edhe te lojtarë kyç të ekipit, përfshirë Xherdan Shaqirin.

Teilen: