Tuesday, 10. March 2026
Sport

Infantino: Botërori do të jetë festë totale, mbi 500 milionë kërkesa për bileta

GS 10/03/2026 2 Min. Lesezeit

“Do të jetë një sukses, do të jetë Kupa e parë e Botës me 48 skuadra, 104 ndeshje, 16 qytete dhe 3 shtete pritëse. Po presim diçka të madhe, është më shumë se një turne, më shumë se një kompeticion sportiv. Është një event social, që bota do të ndalet për ta parë”.

Janë fjalët e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, në një intervistë për ‘As’ në lidhje me Botërorin 2026, që do të zhvillohet këtë verë në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

“Do të jetë fantastike, fenomenale, ka një pritje të paprecedentë. Në 4 javë kemi marrë më shumë se 500 milionë kërkesa për bileta. Është e pabesueshme, – ka vazhduar Infantino. – Kemi gati 7 milionë bileta, por 500 milionë janë një shifër që nuk është parë ndonjëherë më parë në historinë e FIFA-s, apo ndonjë institucioni tjetër. Kemi hequr mënjanë disa bileta për fazën finale të turneut dhe ditët e fundit. Të gjitha stadiumet do të jenë plot, do të jetë një festë totale”.

Infantino ka folur edhe për Botërorin e klubeve, që u fitua nga Chelsea vitin e kaluar: “Ishte një sukses, tani po flasim me të gjithë për të parë se si mund ta përmirësojmë. Po flitet për 32 skuadra, por mund të ketë më shumë. Nuk kemi vendosur ende se ku do të luhet, do të marrim kohën e nevojshme pas Botërorit”.

Teilen: