Sylvinho po “përmbyll” idetë e tij për listën e Kombëtares shqiptare, në prag të sfidës me Poloninë, e vlefshme për “play-off” të Botërorit 2026. Megjithatë, për brazilianin ka “dhimbje koke”.
Armando Broja nuk është rikuperuar ende, po ashtu edhe Mirlind Daku. Me këta dy sulmues që janë në rrezik të mungojnë në ndeshjet e marsit, Sylvinho po mendon për planin B.
Taulant Seferi ka probabilitetin më të madh që të zëvendësojë një prej dyshes Broja-Daku. Ndërkohë që emri tjetër që po mendohet nga tekniku brazilian, është ai i Stiven Shpendit.
Edhe ky i fundit ka bërë mjaft mirë këtë sezon në Serie B italiane. Deri më tani, Shpendi ka shënuar 10 gola e asistuar në 1 tjetër me fanellën e Empolit, duke rritur gjasat për një ftesë te Shqipëria A.