I lindur në Serbi, por mban pasaportë kroate dhe po lë gjurmë në Bullgari. Golat e tij mund të jenë shumë të dobishëm për Milan në të ardhmen e afërt. Bëhet fjalë për Petar Stanic, që është futur në listën e përforcimeve të mundshme të klubit kuqezi.
Të shtunën e kaluar, një vëzhgues i Milan e pa atë në aksion në “Huvepharma Arena”. dhe nuk zhgënjeu, duke shënuar për ekipin e tij, Ludogorets në ndeshjen kundër CSKA Sofia.
Stanic ka qenë shpesh në listën e golashënuesve këtë vit: Në ligë (23 ndeshje të luajtura), ai ka shtatë gola dhe shtatë asiste. Ai është edhe në krye të listës së golashënuesve të Europa League këtë sezon, me shtatë gola dhe një asist.
Ludogorets tashmë ka vendosur një çmim prej 10 milionë eurosh, që mund të përfaqësojë një transferim rekord për klubin bullgar. Për lojtarin po tregon interes edhe ekipi i Atalanta.
Ai nuk është një qendërsulmues klasik, por një mesfushor sulmues shumë i talentuar, fizikisht 1.86 metra i gjatë me teknikë të shkëlqyer. Ai mund të veprojë në të gjitha frontet e sulmit, është shumë i aftë në përfundimin e goditjeve dhe është pothuajse i pagabueshëm kur bëhet fjalë për gjuajtjen e penalltive.
Vjeshtën e kaluar, ai u thirr edhe në ekipin kombëtar serb, por nuk pati kurrë mundësinë të debutonte. Në të kaluarën, ai ka luajtur tre ndeshje për ekipin nën-21 vjeç. Për Milan mund të përfaqësojë një blerje me kosto të lirë.