Wednesday, 18. March 2026
Sport

Rëfehet Yildiz: Paratë nuk kanë rëndësi për mua, s’më pëlqen të më krahasojnë me Del Pieron

GS 18/03/2026 2 Min. Lesezeit

Kenan Yildiz, i cili sapo ka rinovuar kontratën me Juventusin deri në 2030-ën, shpjegon pse e u tha “Po” sërish bardhezinjve. “Nuk kam luajtur kurrë për para, por për t’u rritur. Për mua është i rëndësishëm besimi dhe këtu ma kanë treguar gjithmonë. Jam shumë mirë.

Juventusi ka qenë gjithmonë në mendjen time, e kanë ditur edhe prindërit e mi. E ardhmja ime është këtu. Jo si te Bajerni: isha aty 11 vjet dhe ishte gjithmonë dikush më i mirë se unë. Ishte e natyrshme të largohesha”, – ka thënë futbollisti turk.

Tre vjet më parë, kur mbërriti në Torino, Yildiz gjeti trajnerin Massimiliano Allegri: “I detyrohem shumë atij, për gjithë këtë jetë, për mënyrën si filloi. I jam mirënjohës edhe trajnerit Montella”. Turku vlerëson edhe Luciano Spalletti-n: “Një trajner i madh, një njeri i veçantë, plot emocione”.

Në intervistën për “Corriere dello Sport” Yildiz tregohet shumë i pjekur: “Pak lojtarë arrijnë të mbajnë të njëjtin nivel për 50 ndeshje. Ndodh që ndonëjherë ka edhe kritika, gazetarët shkruajnë opinione. E di që duhet të përmirësohem. Për shembull, mjafton të shikosh Cristiano Ronaldo, i cili në moshën 40-vjeçare ka një mentalitet fantastik”.

Në fund edhe krahasimi me Alex Del Piero: “Nuk më pëlqen, sepse unë sapo kam filluar, kurse ai është një legjendë botërore, bën pjesë në historinë e Juventusit dhe futbollit. Dua të kem një histori të gjithën timen dhe të lë pas diçka timen”.

Teilen: