Ariedo Braida, ish-menaxher i merkatos së Milanit, në një intervistë foli për Silvio Berlusconi: “Shikonte më përpara se të gjithë. Më kujtohet ende që ditën e parë te Milani na tha: Duhet të bëhemi skuadra më e fortë në botë. Duhet të jemi më të fortë se zilia, padrejtësitë dhe fatkeqësia… Do të thoja se ia dolëm. Sot mungon një person i tillë në futbollin tonë. Berlusconi mbetet i paarritshëm dhe i pakalueshëm”.
Në lidhje me merkaton moderne dhe përdorimin e algoritmeve, Braida theksoi: “Teknologjinë e përdorin të gjithë, por nuk bën askënd të lumtur. Duhet ndjeshmëria kur merr vendime. Ndjenja që kam kur shoh një lojtar në fushë nuk mund të matet me matematikë”.
Ai kujtoi edhe blerjen e Andriy Shevchenko, duke treguar se kishte këmbëngulur për transferimin e tij te Milani edhe pas një ndeshjeje të dobët. Braida theksoi se sot algoritmet ndoshta do ta kishin refuzuar, ndërsa instinkti i tij rezultoi i saktë, pasi Shevchenko më vonë fitoi edhe “Topin e Artë”.