Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është denoncuar të hënën në Francë nga ish-shefi i tij Michel Platini. Ky i fundit dukej se do të drejtonte FIFA-n, por në vitin 2015 u përfshi në një skandal financiar dhe u dënua.
Legjenda e futbollit francez u lirua vitin e kaluar, pas një procesi të dytë gjyqësor në një gjykatë zvicerane. Ai ka ngarkuar avokatët e tij në Paris të bëjnë një denoncim penal kundër Infantinos dhe 5 funksionarëve zviceranë të futbollit dhe të prokurorisë.
Platini pretendon se janë organizuar komplote me akuza të rreme dhe abuzim me influencën për t’i mohuar atij presidencën e FIFA-s 10 vjet më parë. Avokatët do të hapin edhe një çështje civile për dëmshpërblim kundër FIFA-s, sipas asaj që ka deklaruar një zëdhënës i Platini në një komunikatë.
Denoncimet e reja vijnë 3 ditë para nisjes së Botërorit, që zhvillohet në Amerikën e Veriut dhe që shpesh e ka lejuar Infantinon të ndajë skenën politike me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.
Infantino u zgjodh president i FIFA-s në 2016-ën në mënyrë surprizë. Ai vinte nga UEFA, organi europian i futbollit, ku për shumë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i presidentit Platini. Në ambientin futbollistik Platini konsiderohej gjerësisht si favorit për presidencën e FIFA-s dhe pasues i ish-mentorit të tij Sepp Blatter, që po linte detyrën pas hetimeve amerikane për korrupsion mes drejtuesve të futbollit.