Pas Kastriot Selmanit dhe Abdurrahman Fangajt, dy futbollistë të tjerë kanë mbyllur aventurën me Egnatian, skuadra që fitoi titullin kampion në Abissnet Superiore për të tretin sezon radhazi.
Klubi rrogozhinas zyrtarizoi sot largimin e sulmuesit Nikola Buriç dhe mbrojtësit Anio Poçi me dy postime falënderuese në faqen e vet zyrtare. “Nikola Burić nuk do të jetë më pjesë e Egnatias, duke lënë pas golat, përkushtimin dhe momentet e tij me fanellën bardhejeshile. Klubi e falënderon për gjithçka që ka dhënë në shërbim të ekipit dhe i uron suksese në çdo hap të rrugëtimit të tij të ardhshëm”, – shkruhet në njoftimin për mbylljen e bashkëpunimit me Buriç.

E njëjta gjë edhe me Anio Poçin: “Përkushtimi, pasioni dhe kontributi yt do të mbeten gjithmonë pjesë e historisë së Egnatias. Faleminderit për çdo ndeshje, çdo sakrificë dhe çdo moment të ndarë me fanellën bardhejeshile. Të urojmë suksese në çdo hap të rrugëtimit tënd të ardhshëm!”
Poçi dhe Buriç janë aktivizuar herë si titullarë dhe herë nga stoli tek Egnatia. Largimet zyrtare nga kjo skuadër bëhen 4 ndërkohë dhe 2 i takojnë mbrojtjes dhe 2 sulmit. Tani pritet që skuadra e trajnerit Nevil Dede të përforcohet me disa lojtarë para se të nisë aventurën në Europë.