Friday, 12. June 2026
Sport

Rangnick i thotë “JO” Milanit, projekti kuqezi në krizë të re

GS 12/06/2026 2 Min. Lesezeit

Ralf Rangnick nuk do të jetë pjesë e Milanit.

Trajneri dhe drejtuesi austriak ka refuzuar ofertën e klubit kuqezi, pavarësisht se bisedimet mes palëve kishin avancuar ndjeshëm ditët e fundit.

Sipas raportimeve nga Italia, Rangnick nuk është bindur nga projekti i RedBird dhe nga mënyra se si po funksionon struktura drejtuese e klubit.

Austriaku kishte kërkuar kompetenca të plota në aspektin sportiv dhe organizativ, por paqartësitë mbi rolet dhe ndikimin e figurave të ndryshme brenda klubit kanë bërë që ai të tërhiqet nga negociatat.

Një tjetër element që ka ndikuar në vendimin e tij lidhet me mungesën e një drejtimi të qartë në “Casa Milan”, ku vazhdojnë diskutimet dhe ndasitë për të ardhmen sportive të skuadrës, raporton ORAinfo.

Ky zhvillim konsiderohet një tjetër goditje për RedBird dhe drejtuesit e Milanit, të cilët tashmë duhet të rikthehen në kërkim të alternativave për projektin e ri sportiv.

Ndërkohë, emri i Oliver Glasner mbetet një nga kandidatët kryesorë për pankinën kuqezi.

Rangnick, nga ana tjetër, pritet të vazhdojë punën e tij me Kombëtaren e Austrisë, duke lënë sërish Milanin me shumë pikëpyetje për të ardhmen. /ORAinfo/

Teilen: