Gjermania ka siguruar kalimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026, pas fitores 2–1 ndaj Bregut të Fildishtë në ndeshjen e dytë të Grupit E. Megjithatë, përzgjedhësi Julian Nagelsmann ka kërkuar që skuadra të mos përfshihet nga euforia.
Në ndeshjen e zhvilluar në “BMO Field” të Torontos, Bregu i Fildishtë kaloi i pari në avantazh në minutën e 30-të me golin e kapitenit Franck Kessie. Por pjesa e dytë i përkiste Gjermanisë dhe veçanërisht Deniz Undav, i cili hyri nga stoli në minutën e 60-të dhe ndryshoi fatin e takimit.
Sulmuesi i Stuttgartit barazoi rezultatin në minutën e 68-të, ndërsa në minutën e katërt të kohës shtesë shënoi edhe golin e fitores, duke i dhënë Gjermanisë tre pikë të rëndësishme dhe kualifikimin në raundin tjetër. Për Undav, ky ishte goli i nëntë në vetëm 11 paraqitje me fanellën e kombëtares gjermane.
Pas ndeshjes, Nagelsmann u shpreh se nuk ka vend për eufori, duke kujtuar se vetëm pak javë më parë situata rreth kombëtares ishte shumë më e vështirë dhe se një fitore nuk ndryshon menjëherë realitetin.
“Nuk kemi nevojë të flasim tani nëse jemi apo jo të klasit botëror. Vetëm tre javë më parë gjithçka ishte në rrëmujë”, deklaroi ai.
Përzgjedhësi gjerman theksoi se fokusi i ekipit mbetet ndeshja e fundit e fazës së grupeve kundër Ekuadorit, duke kërkuar përqendrim maksimal përpara fazës me eliminim direkt.