Saturday, 4. July 2026
Futboll

Arijon Ibrahimovic vendos të qëndrojë te Bayern Munichu, kontrata e re vjen javën e ardhshme

GS 04/07/2026 3 Min. Lesezeit

Arijon Ibrahimovic do të vazhdojë të jetë pjesë e Bayern Munichut, pasi talenti nga Kosova ka vendosur të rinovojë kontratën me kampionët e Bundesligës.

Sipas raportimeve të Transfermarkt, 20-vjeçari ka refuzuar interesimin e disa klubeve nga Gjermania dhe jashtë saj, duke zgjedhur të vazhdojë karrierën në “Allianz Arena”. Kontrata e tij aktuale, e vlefshme deri në vitin 2027 me opsion për një sezon shtesë, pritet të zëvendësohet me një marrëveshje të re që do ta mbajë në Mynih deri në verën e vitit 2028.

Një rol vendimtar në këtë zgjedhje ka pasur trajneri Vincent Kompany. Bisedimet pozitive mes palëve dhe plani i belgut për zhvillimin e futbollistit e kanë bindur Ibrahimovicin se do të ketë një rol të rëndësishëm në skuadrën e parë.

Pas huazimit te Heidenheim, mesfushori ofensiv tërhoqi interesimin e klubeve si Werder Bremen, Hamburger SV, Freiburg, Augsburg, Villarreal, Brighton dhe Hull City. Megjithatë, ai vendosi t’i japë përparësi qëndrimit te Bayern Munichu.

Ibrahimovic zhvilloi një sezon mbresëlënës me Heidenheimin, duke regjistruar gjashtë kontribute në gola në 34 paraqitje në Bundesligë. Performancat e tij bënë që vlera në treg të rritej ndjeshëm, ndërsa ai u shndërrua në një nga talentet më premtuese të futbollit gjerman.

Një nga momentet më të spikatura të sezonit ishte paraqitja ndaj Bayern Munichut në barazimin 3-3 në “Allianz Arena”, ku shënoi një gol. Vetëm një javë më vonë, ai kontribuoi me dy gola të tjerë në përballjen ndaj Kolnit, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer.

Sipas raportimeve, Kompany i ka paraqitur lojtarit një plan të qartë për sezonin e ardhshëm, duke i garantuar minuta të rregullta dhe një rol fleksibil në repartin ofensiv. Trajneri belg synon ta aktivizojë si në qendër të sulmit, ashtu edhe në krahë, ndërsa pritet të ketë më shumë hapësira në javët e para të sezonit, kur disa prej futbollistëve të Bayernit do të rikthehen gradualisht pas angazhimeve në Kupën e Botës.

Për Bayern Munichun, rinovimi i Ibrahimovicit përfaqëson një sinjal të qartë besimi ndaj njërit prej talenteve më premtues të akademisë së klubit, pas huazimeve të tij te Frosinone, Lazio dhe Heidenheim.

Ibrahimovic debutoi me ekipin e parë të Bayernit në Bundesligë në shkurt të vitit 2023, kur ishte vetëm 17 vjeç. Shkathtësia për të luajtur në disa pozicione të sulmit, teknika dhe instinkti për gol vazhdojnë ta bëjnë atë një nga lojtarët më interesantë të gjeneratës së tij.

Teilen: