Sunday, 2. August 2026
Futboll

Milani synon rikthimin e Brahim Diazit, ndërsa e ardhmja e Leaos mbetet e paqartë

GS 01/08/2026 2 Min. Lesezeit

Milani po kërkon të përforcojë repartin ofensiv, ndërsa po përgatitet për një ndryshim të mundshëm në skuadër në rast të largimit të Rafael Leaos.

Sipas gazetës italiane Corriere della Sera, “Rossonerët” e kanë vendosur mesfushorin ofensiv të Real Madridit, Brahim Diaz, në krye të listës së objektivave për të forcuar repartin e krijimit të lojës.

Klubi kuqezi humbi garën për talentin grek Konstantinos Karetsas, i cili u transferua nga Genk te Borussia Dortmundi për 33 milionë euro. Si pasojë, drejtuesit e Milanit kanë zhvendosur vëmendjen te alternativa të tjera.

Përveç Brahim Diazit, Milani po monitoron edhe talentin e Arsenalit, Ethan Nwaneri, si dhe mesfushorin ofensiv të Romës, Matias Soulé.

Një rikthim i Diazit në “San Siro” do të shënonte një ribashkim me klubin ku ai la gjurmë gjatë periudhës 2020–2023. Gjatë huazimit te Milani, reprezentuesi i Marokut zhvilloi 124 ndeshje, shënoi 18 gola dhe regjistroi 15 asistime, duke kontribuar në fitimin e titullit të Serie A në sezonin 2021/22.

Kontrata e Brahim Diazit me Real Madridin është e vlefshme deri në verën e vitit 2027. Për shërbimet e tij kishte shfaqur interes edhe Juventusi, por klubi torinez më pas ndryshoi objektiv, duke u fokusuar te Karim Alajbegovic i Bayer Leverkusenit.

Ndërkohë, çështja më e rëndësishme për Milanin mbetet e ardhmja e Rafael Leaos. Sulmuesi portugez ka lënë të kuptohet se aventura e tij shtatëvjeçare në “San Siro” mund të jetë drejt fundit.

Fillimisht, Leao preferonte një transferim në Ligën Premier ose në La Liga, por mungesa e ofertave konkrete nga këto kampionate e ka shtyrë të shqyrtojë edhe opsione të tjera.

Sipas raportimeve, Galatasaray është klubi më i interesuar për transferimin e portugezit. Kampioni i Turqisë pritet të bëjë një ofertë, duke shpresuar të përfitojë edhe nga fakti se sezonin e ardhshëm do të luajë në Ligën e Kampionëve.

Teilen: