Saturday, 1. August 2026
Futboll

Chelsea zyrtarizon transferimin e Danny Welbeckut

GS 01/08/2026 2 Min. Lesezeit

Chelsea ka konfirmuar transferimin e sulmuesit anglez Danny Welbeck nga Brighton.

Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit dhe Arsenalit ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me klubin londinez. Të dy klubet nuk kanë bërë publike vlerën e transferimit.

Welbeck vjen te Chelsea pas një sezoni të suksesshëm me Brightonin, ku shënoi 13 gola në 37 ndeshje të Ligës Premier, duke regjistruar sezonin më produktiv të karrierës së tij. Vetëm tre futbollistë anglezë realizuan më shumë gola se ai në elitën e futbollit anglez gjatë edicionit të kaluar.

Sulmuesi 35-vjeçar bëhet përforcimi i tretë i Chelseat gjatë këtij afati kalimtar, pas transferimeve të Morgan Rogers nga Aston Villa dhe Marco Palestra nga Atalanta.

Afrimi i Welbeckut paraqet një ndryshim në strategjinë e klubit londinez, pasi pronarët e Chelseat, që nga marrja e klubit në vitin 2022, kanë preferuar kryesisht transferimin e futbollistëve të rinj me potencial afatgjatë.

Welbeck e nisi karrierën te Manchester Unitedi, ndërsa në vitin 2014 u transferua te Arsenali për rreth 18 milionë euro. Pas pesë sezonesh në Londrën veriore, ai iu bashkua Watfordit, përpara se në vitin 2020 të transferohej te Brightoni, ku u shndërrua në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.

Me Kombëtaren e Anglisë, Welbeck ka zhvilluar 42 ndeshje dhe ka shënuar 16 gola. Paraqitja e tij e fundit me “Tre Luanët” daton në vitin 2018, ndërsa nuk u përfshi në listën e përzgjedhur nga Thomas Tuchel për Kupën e Botës 2026.

Teilen: