Egnatia është mundur 3-1 në Dublin nga Shamrock Rovers në ndeshjen e parë të turit të tretë kualifikues në Europa League. Në minutën e 27-të, Ildi Gruda shkakton një faull të qartë ndaj kundërshtarit brenda zonës. Arbitri jep penallti, Graham Burke tregohet i saktë.
Në minutën e 40-të, Gruda lan “fajin” dhe fiton penalltinë pas faullit në zonë nga kundërshtari. Fillimisht arbitri kryesor i takimit ndëshkoi shkodranin me karton të verdhë për simulim, por pas ndërhyrjes së VAR, ndryshon mendje dhe jep penallti për rrogozhinasit.
Godet Jaime dhe pret portieri kundërshtar, por nuk e grushton në mënyrën e duhur dhe spanjolli i Egnatias ndoqi aksionin deri në fund dhe dërgoi topin në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet 1-1.
Pjesa e dytë foli e gjitha për vendasit, të cilët fillimisht shënuan dy gola të shpejtë për dy minuta.
Në minutën e 55-të, Roberto Lopes shënon me kokë pas krosimit nga këndi. Në minutën e 57-të, përsëritet e njëjta skenë. Goditje këndi për Shamrock, Aaron Greene shënon me kokë golin e tretë.
Në minutat në vijim fati ishte me Egnatian, pasi vendasit patën të paktën tre raste të pastra shënimi, por që nuk finalizuan në mënyrën e duhur në fund.
Rezultati nuk ndryshon deri në fund, Shamrock Rovers fiton 3-1. Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në “Egnatia Arena”.