Wednesday, 12. August 2026
Futboll

Igli Tare grabitet në tren pas funeralit të Franco Baresit, policia ia rikthen çantën brenda pak minutash

GS 05/08/2026 1 Min. Lesezeit

Një ditë që dukej se do të mbyllej në mënyrën më të keqe pati fund të lumtur për Igli Taren. Ish-drejtori sportiv i Milanit mori pjesë në ceremoninë mortore të Franco Baresit në kishën “Sant’Ambrogio” të Milanos dhe, pasi i dha lamtumirën legjendës kuqezi, u nis me tren drejt Romës, ku banon.

Gjatë udhëtimit, një person i vodhi çantën që ndodhej në raftin e bagazheve. Menjëherë pas mbërritjes në stacionin “Roma Termini”, ish-sulmuesi shqiptar denoncoi vjedhjen pranë Policisë Hekurudhore.

Policia italiane e rrëfeu ngjarjen në rrjetet sociale: “Në tren, ndonjëherë mjafton një moment shpërqendrimi për të pasur surpriza të pakëndshme, siç i ndodhi Igli Tares. Fatmirësisht, sapo zbriti në ‘Roma Termini’, ai iu drejtua menjëherë Policisë Hekurudhore të Lazios.

Falë pamjeve të kamerave të sigurisë, policët identifikuan autorin brenda pak minutash. Ai u lokalizua dhe u arrestua, ndërsa çanta iu kthye pronarit. Ajo që dukej si një ditë e keqe përfundoi në mënyrën më të mirë falë përkushtimit tonë”.

 

Teilen: