Friday, 18. September 2026
Futboll

Irlanda paralajmëron Kosovën: “Asnjë kombëtare nuk dëshiron të luajë kundër nesh”

GS 18/09/2026 2 Min. Lesezeit

Përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, ka folur me vetëbesim për formën e skuadrës së tij para përballjes me Kosovën, duke theksuar serinë prej shtatë ndeshjesh pa humbje.

Kosova do ta presë Irlandën më 24 shtator, në një përballje ku të dyja skuadrat do të kërkojnë rezultat pozitiv. Irlanda po kalon një periudhë të mirë, pasi humbjen e fundit e ka regjistruar më 11 tetor 2025, ndaj Portugalisë, me rezultat 1-0.

Hallgrímsson ka vlerësuar formën e ekipit të tij dhe ka bërë të ditur se synimi është që kjo seri pozitive të vazhdojë.

“Jemi në një seri pozitive dhe duam ta vazhdojmë atë. Jemi të pamposhtur në shtatë ndeshjet e fundit dhe mendoj se asnjë kombëtare nuk dëshiron të luajë kundër Irlandës për momentin”, deklaroi Hallgrímsson.

Ndërkohë, Irlanda ka publikuar edhe listën e futbollistëve të ftuar për ndeshjet e radhës. Në mesin e tyre është edhe Roko Vata, djali i ish-kapitenit të Shqipërisë, Rudi Vata.

Në anën tjetër, lista e Kombëtares së Kosovës pritet të bëhet publike të premten. Përzgjedhësi i “Dardanëve” pritet të ketë disa ndryshime në skuadër, pasi Amir Rrahmani dhe Florent Hadërgjonaj kanë vendosur t’i japin fund karrierës me përfaqësuesen.

Gjithashtu, në listën e Kosovës pritet të jetë për herë të parë edhe mesfushori Dion Kacuri.

Përballja Kosovë–Irlandë do të jetë një nga ndeshjet e rëndësishme për “Dardanët”, të cilët do të synojnë të ndalin serinë pozitive të irlandezëve.

Teilen: