Ish-presidenti i Interit, Massimo Moratti, ka folur për largimin e drejtorit sportiv Piero Ausilio, i cili u nda nga klubi zikaltër pas 28 vitesh. Në një intervistë për “La Repubblica”, Moratti tregoi se kishte komunikuar me Ausilion menjëherë pas largimit të tij: “E telefonova po atë ditë, ose të nesërmen. Ai priste një kontratë më të gjatë nga Interi, një vit nuk i mjaftonte. U tregua zotëri, pa asnjë dëshirë për hakmarrje”.
Largimi i Ausilios ka tërhequr vëmendje të madhe në ambientin e Interit, edhe për shkak të marrëdhënies së tij të fortë me shumë prej futbollistëve. Gjatë viteve, ai kishte luajtur rol të rëndësishëm në bindjen e tyre për t’u transferuar te klubi milanez.
Pavarësisht ndarjes, nuk janë bërë publike përplasje të rëndësishme mes palëve dhe Ausilio është larguar në një klimë relativisht të qetë. Ndërkohë, sipas raportimeve, Tottenham është një nga klubet që po interesohet për ish-drejtorin sportiv të Interit.