Dy gola të kapitenit Lautaro Martinez në pjesën e dytë shërbyen për të barazuar 2-2 rezultatin ndaj Romës dhe për t’i siguruar Inter një pikë të rëndësishme pas një rikuperimi të situatës që dukej i vështirë pas 45 minutave të para.
Duke treguar karakter, energji dhe instinkt vrasës brenda zonës, sulmuesi argjentinas mori përsipër drejtimin e skuadrës zikaltër pas një pjese të parë të vështirë e pa ritëm, duke frenuar vrullin e verdhekuqve.
“E pranojmë se ishte një pjesë e parë për t’u harruar,” deklaroi kapiteni i Inter, që më tej shtoi: “Nuk ishim vërtet në lojë dhe qëndrimi ynë nuk ishte i duhuri. Gjërat ndryshuan në pjesën e dytë, por është e vështirë ta përmbysësh rezultatin në ndeshje të tilla”.“Të marrësh një pikë në ‘Olimpico’ në një ndeshje e situatë të tillë është gjë e shkëlqyer. Çështja qëndron te përgatitja e duhur e ndeshjeve; ne e bëjmë këtë, por duhet të rishqyrtojmë mënyrën se si i nisim disa ndeshje”, tha Lautaro.