Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ka bërë thirrje urgjente për qytetarët e Lezhës dhe zonave përreth, pas situatave të krijuara nga zjarret gjatë ditëve të fundit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ndreu thekson se zjarret në Piraj, Barbullojë dhe Manati kanë krijuar situata të vështira, ndërsa kushtet e motit dhe mungesa e reshjeve rrisin rrezikun për përhapjen e flakëve. Ai thekson se pas më shumë se tre muajsh pa reshje, bimësia është jashtëzakonisht e thatë, ndërsa era favorizon përhapjen e shpejtë të zjarreve.
“Ditët e fundit, dhe veçanërisht gjatë ditës së djeshme, jemi përballur me situata dramatike nga zjarret në Piraj, Barbullojë dhe Manati. Zjarri në ferra, ara, mbeturina apo ambiente të hapura, qoftë me dashje apo nga pakujdesia, mund të vërë në rrezik banesa, prona dhe mbi të gjitha jetë njerëzish”, shprehet kryebashkiaku.
Ndreu u bën apel qytetarëve të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura dhe të tregojnë përgjegjshmëri për parandalimin e situatave të rrezikshme.
“Një pakujdesi e vogël mund të shkaktojë një fatkeqësi të madhe. Parandalimi është mbrojtja më e mirë”, thekson ai, duke kërkuar bashkëpunimin e banorëve për mbrojtjen e njerëzve, banesave dhe territorit.
/rtsh.al/