Një biznes privat në Peshkopi është bërë objekt i një kërcënimi për shpërthim, ndërsa pronarit i është kërkuar pagesa e 50 mijë eurove në kriptomonedha. Policia ka zbardhur ngjarjen brenda pak orësh dhe ka arrestuar në flagrancë një 21-vjeçar, i dyshuar si autor i kërcënimit.
Operacioni policor i koduar “Kërcënimi” vuri në pranga shtetasin E. K., 21 vjeç, i cili dyshohet se rreth orës 14:30 ka vendosur në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh. një kuti të dyshimtë, mbi të cilën ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar përshtypjen e një pajisjeje shpërthyese të telekomanduar.
Mbi kuti ishte vendosur edhe një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e 50 mijë eurove, në formën e një “gjobe”. Sipas hetimeve, pagesa kërkohej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi dhe në adresën e përcaktuar nga autori.
Në mesazhin kërcënues pretendohej se kutia përmbante lëndë plasëse C4, se ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim, si dhe se ambienti monitorohej me kamera. Autori paralajmëronte shpërthimin e saj nëse paratë nuk paguheshin brenda afatit të caktuar, nëse kutia lëvizte apo nëse njoftohej Policia.
Pas sinjalizimit, zona u rrethua nga autoritetet dhe qarkullimi i automjeteve u devijua për disa orë, ndërsa subjektet përreth u mbyllën për arsye sigurie. Në vendngjarje mbërritën specialistët e çminimit dhe forcat speciale xheniere të RENEA-s.
Pas hapjes dhe kontrollit të kutisë, ekspertët konstatuan se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese.
21-vjeçari do të përballet me veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/