Saturday, 3. October 2026
Sport

Përzgjedhësi i Austrisë ankohet për fushën “Fadil Vokrri”

GS 03/10/2026 2 Min. Lesezeit

Në prag të ndeshjes me Kosovën, përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, dhe lojtari Patrick Wimmerkanë folur në konferencë për media për përballjen që zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”.

I pyetur nga KosovaPressi për lojtarët sulmues më të rrezikshëm, Pentz e cilësoi sulmuesin kosovar si më të rrezikshmin.

“Prej të gjithë sulmuesve, Asllani, Abdullahu, Hajdari, i kam bashkëlojtarë, kështu që të tjerët nuk është se i njoh personalisht, si Muriqin. Por Fisnik Asllanin e cilësoj më të rrezikshmin”, ka thënë Pentz.

Rangnick u shpreh se ndeshja në Prishtinë do të jetë ndryshe nga ajo e zhvilluar në Vjenë.

“Me dallim me lojën e parë, luajmë si mysafirë. Fillimisht, gjithçka është krejt ndryshe. Në Vjenë luajtëm në një terren të freskët. Në Prishtinë kam parë rrallëherë një terren kaq të pambajtur, sesa që duhet të jetë. Është e pakuptimtë që vijmë në një mot që është shumë i mirë, ndërsa terreni është në këtë gjendje. Do të jetë e vështirë edhe për lojtarët e Kosovës. Sigurisht, Asllanit dhe Abdullahut nuk do t’u pëlqejë terreni”, ka deklaruar Rangnick.

Përzgjedhësi austriak ka konfirmuar se të gjithë lojtarët janë në dispozicion.

Pas ndeshjes me Irlandën, Rangnick kishte deklaruar se Austria do të udhëtonte në Prishtinë për të mos humbur. Ndërkaq, Pentz ka theksuar se skuadra nuk dëshiron të kënaqet vetëm me një pikë.

“Natyrisht, nuk duam të humbim. Nuk jemi të kënaqur me lojën, nuk jemi të kënaqur me një pikë. Atmosfera është në rregull, por rezultati nuk ishte ai që kemi menduar. Shpresojmë për pikë të plota”, ka thënë Pentz.

Austria në këtë ndeshje vjen pas barazimit 2-2 ndaj Irlandës, ndërsa Kosova pas barazimit pa gola me Izraelin. Në përballjen e parë mes dy skuadrave, Austria triumfoi 3-1 në Vjenë.

Ndeshja Kosovë–Austri zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve.

Teilen: