Wednesday, 7. October 2026
Futboll

Messi në lot pas lamtumirës: Nuk dua të largohem që këtej, nuk dua të largohem nga kjo fushë

GS 07/10/2026 2 Min. Lesezeit

Si një “tango e fundit”, siç u quajt në Argjentinë, ajo nuk ishte aspak keq. Dy asiste dhe një gol (nga pika e bardhë e penalltisë), ndonëse kundër një kundërshtari modest si Benin, shërbejnë si një trashëgimi e denjë për një karrierë të jashtëzakonshme, që përfshin 208 ndeshje me “Selección” dhe një Kupë Bote të fituar si kapiten.

T’i thoje lamtumirë asaj fanelle të dashur në këto rrethana doli të ishte driblimi më i vështirë i Lionel Messi: “E vërteta është se po flas më shumë se kurrë më parë. Nuk dua të largohem që këtej, nuk dua të largohem nga kjo fushë”, tha Leo Messi pas ndeshjes miqësore me Argjentinën, e fundit përë të me këtë fanellë.

“Është e vështirë të flas; jam i pushtuar nga emocionet dhe kujtimet po më vërshojnë. Natyrisht, gjëja e parë që më vjen ndërmend është im atë. Ka qenë burim krenarie të jashtëzakonshme për mua ta mbaj veshur këtë fanellë për më shumë se njëzet vjet“, deklaroi “pleshti”.

“Dua vetëm t’ju them se ju dua, se do t’më mungoni dhe se i jam mirënjohës Zotit që jam argjentinas. Jam krenar që jam argjentinas“, vazhdoi Messi, duke iu drejtuar 85,000 spektatorëve në ndeshjen e tij të fundit me kombëtaren.

Këto fjalë prekëse dhe të sinqerta u pritën me duartrokitje të gjata nga turma, të shoqëruara me thirrjet “Olé, olé, olé, olé, Messi, Messi” dhe një pankartë ku shkruhej “Kapiteni i Përjetshëm”.

Teilen: