Edhe pse sezoni veror ka përfunduar, Shkodra vijon të jetë e frekuentuar nga grupe të organizuara turistësh, por edhe vizitorë individualë që shihen çdo ditë në qendrën historike dhe në pikat kryesore të qytetit, duke dëshmuar se interesi për Shkodrën nuk kufizohet vetëm në muajt e verës.
Të tërhequr nga historia, monumentet, traditat dhe afërsia me Alpet Shqiptare, vizitorët vlerësojnë mundësitë që ofron qyteti për të kombinuar turizmin kulturor me atë natyror.
“Vijmë nga Parisi, Francë. Është hera e parë që vizitojmë Shqipërinë. Shkodra po na pëlqen shumë dhe do të qëndrojmë këtu për dy ditë. Na tërheq shumë bukuria e bregdetit Adriatik dhe e maleve. Në fakt, plani ynë është të rikthehemi në Shqipëri dhe të organizojmë një udhëtim më të gjatë, nga veriu në jug të vendit”, u shpreh një turist.
“Shkodra është një qytet kontrastesh. Është shumë i bukur dhe turistik, por, nga ana tjetër, ka ende shumë gjëra të vjetra dhe të dëmtuara. Është gjithashtu interesante të shohësh praninë e tri objekteve fetare: xhamisë, kishës katolike dhe kishës ortodokse”, tha një tjetër turist.
Ndërsa Shqipëria është përfshirë së fundmi nga protesta, veçanërisht në kryeqytet, kjo situatë nuk duket se ka krijuar shqetësime të veçanta për sigurinë te turistët.
“Personalisht, mendoj se është plotësisht e sigurt të vish këtu. Thjesht besoj se është e rëndësishme që fillimisht të informohesh, të mësosh dhe të kuptosh arsyet e protestave, të cilat, në fakt, më kanë bërë ta ndryshoj pak itinerarin tim, në mënyrë që, kur të shkoj në kryeqytet, të mos qëndroj në qendër. Por, njëkohësisht, mendoj se është interesante të shohësh njerëzit që protestojnë dhe kërkojnë të dëgjohen” theksoi një turiste.
Me resurse të shumta natyrore e kulturore, nga Alpet Shqiptare deri në bregdet, qarku i Shkodrës po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik përtej sezonit veror. Sipas të dhënave zyrtare mbi 1.3 milionë vizitorë vendas dhe të huaj kanë frekuentuar zonat e mbrojtura të qarkut nga janari deri në mesin e tetorit të këtij viti.
/rtsh.al/