Basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi është shpallur lojtar i javës në FIBA Europe Cup pas paraqitjes fantastike që e pati në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve.
Trepça triumfoi në Gjeorgji ndaj skuadrës së Batumit për ta regjistruar fitoren e tretë rresht në kuadër të Grupit A, ndërsa Hajrizi shkëlqeu në këtë përballje.
Ai ndeshjen e mbylli me indeksin e lojës 30, duke regjistruar 29 pikë, 8 kërcime dhe 7 asistime derisa Trepça triumfoi me shifrat 91:70.
Hajrizi menjëherë pas xhiros së katërt të fazës së grupeve, ishte në mesin e pesë të nominuarëve për basketbollistin e javës, duke u përzgjedhur me votat e tifozëve.
Në fakt, Hajrizi dominoi totalisht edhe në votimin e tifozëve, duke marrë 86 përqind të votave për t’u shpallur më i miri i javës.
Pas katër ndeshjeve të luajtura, Trepça është e dyta në grup me 7 pikë kurse Hajrizi po luan me një mesatare prej 12 pikëve, 5 kërcimeve dhe 3 asistimeve për ndeshje.