Dy persona të shpallur në kërkim janë kapur nga Policia Kufitare në aeroportin e Rinasit, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje dhe dalje të territorit shqiptar.
Në dalje të Shqipërisë është arrestuar një shtetas turk, 31 vjeç, me inicialet E. U., i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara, me qëllim ekstradimin drejt Turqisë.
Ai akuzohet nga autoritetet turke për mashtrim të kryer gjatë ushtrimit të veprimtarisë tregtare. Për të, Gjykata Penale e Shkallës së Parë Nr. 2 në Gebze kishte lëshuar urdhër arresti më 31 korrik 2026.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet turke, po vijon procedurat për ekstradimin e tij.
Ndërkohë, në hyrje të Shqipërisë është kapur edhe një 27-vjeçar shqiptar, me inicialet E. V., i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
Vendimi për dënimin e tij është dhënë më 3 qershor 2025.