Grupi i tifozëve të Kombëtares së Kosovës, “Dardanët”, do të jenë pranë ekipit kombëtar edhe në udhëtimin në Dublin, ku Kosova do të përballet me Irlandën në ndeshjen përmbyllëse të grupit dhe të vitit kalendarik.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, “Dardanët” kanë bërë të ditur se kanë organizuar një tubim për tifozët shqiptarë që do të jenë të pranishëm në këtë përballje.
Tifozët janë ftuar të mblidhen nesër, nga ora 14:00, në lokalin “The Quays Bar Dublin – Temple Bar”, para se të nisen drejt stadiumit për ta përkrahur Kombëtaren e Kosovës.
Gjithashtu, në këtë pikë do të bëhet edhe shpërndarja e shallave për të gjithë ata që kanë rezervuar biletat përmes grupit të tifozëve.
“Dardanët” i kanë dhënë një rëndësi të veçantë kësaj ndeshjeje, duke e cilësuar atë si një finale të vërtetë, për shkak të ndikimit që mund të ketë në ambiciet e Kosovës.
“Kjo është finalja e vërtetë, ndeshja përmbyllëse e këtij grupi dhe e këtij viti kalendarik. Rëndësia e saj është jashtëzakonisht e madhe për ambiciet tona, prandaj edhe ne, si tifozë, do të jemi në lartësinë e detyrës, duke dhënë çdo atom të energjisë dhe përkrahjes për djemtë tanë. Së bashku do të dalim fitimtarë!”, thuhet në njoftimin e tyre.