Kombëtarja e Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave renditet në vendin e 25-të në ranglistën e Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF), me 18.75 pikë.
Ranglista, e cila përfshin rezultatet e katër viteve të fundit, është publikuar në prag të fillimit të raundit të parë kualifikues për Kampionatin Evropian 2028.
Kosova renditet para disa kombëtareve evropiane, përfshirë Italinë, Greqinë, Izraelin, Lituaninë, Bosnjë-Hercegovinën, Finlandën, Luksemburgun, Bullgarinë, Letoninë, Azerbajxhanin, Britaninë e Madhe, Belgjikën, Estoninë, Rusinë, Bjellorusinë dhe Qipron.
Në përpilimin e ranglistës janë marrë parasysh rezultatet e katër viteve të fundit.
Rezultatet e viteve 2024 dhe 2025 janë vlerësuar me 100 për qind të pikëve të fituara, ndërsa ato të viteve 2022 dhe 2023 me 50 për qind.
Ndërkohë, nëntë anëtare të EHF-së nuk kanë pikë në këtë ranglistë, për shkak të mungesës së aktivitetit në konkurrencën e femrave.
Shorti për fazën e parë kualifikuese të Euro 2028 do të tërhiqet më 19 dhjetor, ndërsa ndeshjet e kësaj faze do të zhvillohen në fillim të marsit të vitit të ardhshëm.