Saturday, 21. November 2026
Sport

​Malisheva e mbyll me fitore duelin ndaj Dukagjinit

GS 21/11/2026 2 Min. Lesezeit

Malisheva ka shënuar fitore me përmbysje ndaj Dukagjinit, duke triumfuar me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të në Superligën e Kosovës.

Pjesa e parë e takimit u mbyll me epërsinë minimale të mysafirëve, të cilët kaluan në avantazh në minutën e 17-të me anë të Dienit Isufit.

Goli i Isufit fillimisht u anulua, por pas rishikimit të situatës përmes VAR-it, u vendos që të pranohej, duke bërë që Dukagjini të shkonte në pushim me epërsinë 0:1.

Në pjesën e dytë, Malisheva u rikthye më e vendosur në fushë dhe arriti ta përmbyste rezultatin. Kreshnik Uka ishte autor i golit të barazimit në minutën e 63-të, duke rikthyer shpresat për vendasit.

Ndërkohë, në minutën e 83-të, Dukagjini mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit me karton të kuq të Egzon Sinanit.

Malisheva shfrytëzoi epërsinë numerike dhe në minutën e 84-të kapiteni Dreni Kryeziu realizoi nga pika e bardhë për rezultatin 2:1, duke vulosur fitoren e skuadrës së tij.

Me këtë triumf, Malisheva rikthehet te fitoret pas një barazimi dhe një humbjeje, ndërsa Dukagjini vazhdon serinë negative prej pesë ndeshjesh pa fitore.

Pas javës së 14-të, Malisheva renditet në pozitën e dytë me 30 pikë, pesë më pak se liderja Prishtina, kurse Dukagjini mbetet në vendin e gjashtë me 18 pikë.

Në xhiron e ardhshme, Malisheva do të përballet me Llapin, ndërsa Dukagjini do të jetë nikoqir i Ballkanit.

Teilen: