Pas kompletimit të tripletës historike sezonin e kaluar, Mançester Siti është në ndjekje të një veterani me përvojë në Ligën e Kampionëve. Kampionët e Europës thuhet se janë përgatitur të ofrojnë 13 milionë paund në vit për të siguruar yllin e Realit të Madridit, Toni Kros.
Përqendrimi i planeve të merkatos së tyre te mesfushori gjerman, bëhet për të forcuar më tej dominimin e tyre në botën e futbollit. Lajmi ka burim spanjollët e “Defensa Central”.
33-vjeçarit do t’i skadojë kontrata në “Bernabeu” verën e ardhshme dhe mund t’i dyfishohet rroga nëse pranon këtë lëvizje në “Etihad”.
Kros u transferua në Madrid nga Bajerni i Mynihut në vitin 2014 pas triumfit të Gjermanisë në Botërorin e Brazilit dhe prej atëherë ka fituar gjithçka në Spanjë, përfshirë 4 herë Ligën e Kampioneve dhe 3 tituj kampion. “Qytetarët” do të përpiqen ta tundojnë me një kontratë 2-vjeçare.
PANORAMASPORT.AL