Një gjykatë franceze ka dënuar lojtarët e regbisë të Grenoble 12 deri në 14 vjet burg për abuzimin seksual me një studente pas një daljeje natën vonë në vitin 2017, duke përdorur një banane dhe një patericë.
Në përfundim të gjykimit dyjavor, irlandezi Denis Coulson dhe francezi Loïck Jammes u dënuan me 14 vjet burg, ndërsa neozelandezi, Rory Grice, mori 12 vjet për abuzimin me një grua 20 vjeçare në vitin 2017.
Në atë kohë, Coulson ishte 30 vjeç dhe punonte në ndërtim, ndërsa Jammes (30) dhe Grice (34) vazhdonin të luanin regbi, i pari për ekipin e Aix-en-Provence dhe i dyti për Oyonnax, të dy në divizionin e dytë.
Gjykata gjithashtu e dënoi irlandezin Chris Farrell me 4 vjet burg, dy prej të cilëve të pezulluar, dhe neozelandezin Dylan Hayes me dy vjet burg të pezulluar, për shkak se ishin dëshmitarë të ngjarjeve, por nuk ndërhynë. Farrell gjithashtu është lojtar i Oyonnax, ndërsa Dylan Hayes (30 vjeç) e ka lënë regbinë.
Ngjarja ndodhi më 11 mars 2017, në Bordeaux. Në mëngjesin e ditës tjetër, viktima (20 vjeçe atëherë) doli duke qarë nga një hotel në Mérignac, ku ishte akomoduar ekipi i Grenoble, pas humbjes ndaj Union Bordeaux-Bègles. Ajo bëri padi në polici dhe tregoi se kishte njohur lojtarët në një bar dhe kishte shkuar me ta në një diskoteke. Ajo tha gjithashtu se ishte aq e dehur sa nuk e mbante mend ngjarjen.
Coulson, Jammes dhe Grice pranuan se kishin pasur marrëdhënie seksuale me të, por mbrojtën se ato ishin të miratuara dhe se kishte qenë vetë ajo që kishte pasur iniciativën, duke mbajtur këtë deklaratë gjatë gjykimit.
Megjithatë, gjykatësi ishte i pamëshirshëm për akuzat që përfshinin shumë akte të dhunshme seksuale, duke përfshirë përdorimin e një bananeje, një shisheje dhe një paterice në organet gjenitale të viktimës.
Sipas analizës toksikologjike, ajo kishte mes 2.2 dhe 3 gram alkool për litër gjak dhe pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë se ajo kishte vështirësi për të qëndruar në këmbë kur arriti në hotel, e mbajtur vazhdimisht nga njëri nga të akuzuarit. Mbrojtja pretendoi se seksi “i miratuar” ishte bërë për shkak të frikës dhe se të akuzuarit duhej ta kishin mbrojtur viktimën.