Ishte një ndeshje shahu ajo mes Simone Inzagit dhe Masimiliano Alegrit. Të dy trajnerët e hoqën menjëherë maskën duke interpretuar lojën me idetë që ata kanë dhe për të luajtur ashtu siç kanë bërë deri tani në këtë sezon. Në këtë mënyrë kanë marrë më të mirën dhe donin thjesht vazhdimësi.
PJESA E PARË- Interi në 45 minutat e para ta ndeshjes e nisi lojën me qarkullimin e topit, ku Çalhanoglu ishte i lirë për të organizuar lojën. Menjëherë u jep një sinjal të gjithëve se kjo është mbrëmja e tij, duke diktuar ritmin dhe duke shpërndarë topa magjikë për Barelën dhe Mkhitarianin. Këta të fundit depërtonin shpesh, ndërsa dy mesfushorët e Juventusit si Rabio dhe Mekeni preferuan të zbrisnin poshtë në gjysmëfushën e tyre për t’u mbrojtur së bashku edhe me Lokatelin. Detyrat për të bërë presionin ndaj organizatorëve të Interit ia lanë Jildizit dhe Vlahoviçit. Në anën tjetër të fushës, Dimarko ishte si një sulmues i shtuar dhe shpeshherë e pa veten në zonën e Juventusit bashkë me Lautaron dhe Turamin. Por problemi ishte që Bastoni nuk e shfrytëzoi dot hapësirën pas shpinës së Dimarkos dhe bllokohej shpesh herë. Për këtë arsye iu desh të spostohej Mkhitarianit në atë rol.
Në anën tjetër të fushës, Darmian ishte më statik dhe për karakteristikat teknike që ka. Por aty në atë krah, kishte Pavarin në një ditë të jashtëzakonshme dhe ata të dy thuajse ndryshuan rolet. Francezi jepte krosime dhe sulmonte zonën, por për 10 sekonda e shihje që ishte duke markuar rreptësisht Jildizin, Vlahoviçin apo Rabionë. Në sulm, Interi këtë herë nuk ishte aq shumë brilant sa në sfidat e tjera dhe Inzagi i kërkoi kapitenit që të merrte më shumë pjesë në menaxhimin e topave në mesfushë sesa të sulmonte kundërshtarin. Ai e ndoqi këshillën dhe doli nga gracka ku ishte futur mes mbrojtjeve të Juventusit. Turam luajti disa metra më përpara për të vënë në presion Bremerin dhe shpeshherë spostohej në të djathtë kur topin e kishte Dimarko dhe krosimi pritej në shtyllën e dytë.
JUVENTUSI- Skuadra e Alegrit u mbrojt me një 5-3-2, e gjitha në gjysmëfushën e saj duke kërkuar që të nisej me shpejtësi për të kapur në befasi mbrojtjen e Interit, sidomos me dy sulmuesit dhe Kostiç. Kambiazo luan shumë i tërhequr në krahasim me ish-lojtarin e Frankfurtit dhe Jildiz spostohej në mesfushë. Lokateli bëri një punë të mirë për të qarkulluar topin, por nuk ishte ky qëllimi. Juventusi me 2-3 kundërsulme për pak sa nuk e kapi në befasi Interin që me kalimin e kohës humbi disi orientimin në fushë dhe topin po e qarkullonte në mënyrë sterile. Juventusi në pjesën e dytë e qarkulloi topin më shumë, por Interi u mbrojt me vendosmëri dhe kujdes. Me aktivizimin e Kiezës dhe Ueah, Alegri kërkoi të befasonte mbrojtjen zikaltër falë shpejtësisë dhe zhdërvjelltësisë së tyre. Por menjëherë Inzagi mori masat me Dumfis dhe Karlos Auguston për të vendosur sërish rregull në fushën e lojës.
PANORAMASPORT.AL