Ilkay Gundogan mund të largohet nga Barcelona nëse nuk arrin të federohet deri të dielën. Sipas “Forbes” aventura e 32-vjeçarit në Katalunjë mund të mbyllet ende pa filluar për shkak të problemeve financiare.
Tek kontrata e gjermanit ekziston një klauzolë e veçantë sipas së cilës mesfushori është i lirë të kërkojë një ekip tjetër deri në fund të muajit gusht nëse federimi i tij nuk realizohet.
Kjo fut në panik drejtuesit, pasi mund të humbasin goditjen më të rëndësishme të merkatos së verës.
Trajneri Xavi e shikon Gundogan si një titullar fiks në ekip dhe një lojtar mjaft të rëndësishëm për skemat e tij.
Lajmi tjetër i keq është se klauzola e tij mund të anulohet pasi nëse federimi dështon deri para fillimit të La Ligas, kontrata e futbollistit nuk aktivizohet, kjo bën që gjermani të largohet falas nga klubi.
Ilkay Gundogan firmosi kontratë 2-vjeçare me Barcelonën me opsion dhe për një vit tjetër dhe do të përfitojë 10 mln euro në sezon. Klubi Katalanas është pranë zyrtarizimit të shitjes së Ousmane Dembelesë te PSG dhe Franck Kessie-t në ligën Arabe tek Al-Ahli, operacione që do t’i sigurojnë rreth 50 mln euro.
Gjithashtu klubi i drejtuar nga Johan Laporta mund të përfitojë edhe 20 mln euro në rast të shitjes së Philipe Coutinhos në Arabi për shkak se ka ruajtur 50% të kartonit të tij kur e shiti tek Aston Villa. Këto para mund t’i shërbejnë klubit për të përmirësuar gjendjen financiare dhe për të provuar federimin e lojtarëve.
Barcelona ka arritur të federojë vetëm 13 lojtarë për sezonin e ri teksa kanë ngelur edhe 11 të tjerë, midis të cilëve dhe blerjet e reja të klubit.