Friday, 15. May 2026
Sport

Bashkimi kthehet në Prizren, synon të kthehet në lojë ndaj Trepçës

GS 15/05/2026 2 Min. Lesezeit

Pas dy fitoreve të Trepçës, në finale të Play-Offit, seria bartet në Prizren për dy ndeshjet e ardhshme, vendimtare për titullin e kampionit në basketboll.

Kampionia aktuale Trepça e ka shfrytëzuar maksimalisht epërsinë e terrenit vendës në dy ndeshjet e para, për të realizuar fitore ndaj Bashkimit.

Të mërkurën, “Xehetarët” patën më shumë punë ndaj prizrenasve të cilët i mposhtën 93-83, për të udhëhequr 2:0 serinë finale të Play-Offit.
Në atmosferën e jashtëzakonshme në “Minatorin” legjendar, ekipi i Adis Beqiragiqit e vendosi ndeshjen në minutat e fundit, pasi mysafirët i bënë ballë për më shumë se 35 minuta, duke u afruar edhe deri në minus dy pikë.

Dueli i tretë në Sezai Surroi të Prizrenit, premton spektakël, pasi drejtuesit e skuadrës nikoqire, kanë bërë thirrje te tifozët që të përkrahin maksimalisht ekipin e zemrës. Si rëndom në Play-Off, e posaçërisht në finale, sallat mbushen plotë dhe interesimi është i jashtëzakonshëm për të përcjellë këto ndeshje, andaj njëjtë pritet edhe të dielën në Prizren, kur zhvillohet Finalja e tretë e Play-Offit në basketboll.

Për Bashkimin, dy ndeshjet në shtëpi janë mundësia e mirë për t’u rikthyer në lojë dhe për ta barazuar serinë.
Në vetëm një përballje të këtij sezoni, Bashkimi e ka mundur Trepçën, në të gjitha garat, kampionat, Kupë dhe Play-Off, gjithsej 7 ndeshje të luajtura.
Ndeshja e së dielës, është e treta e serisë finale. Në rast se Trepça triumfon në dy të radhës, shpallet kampione për herë të tretë rresht. Kampione shpallet skuadra me katër fitore.
Nëse seria finale barazohet, do të zhvillohen edhe nga një ndeshje eventuale, në Mitrovicë dhe pastaj në Prizren. Dueli i shtatë eventual i Finales do të luhej në Minatori.

 

Teilen: