Bayern Munich i ka kushtuar vëmendje të veçantë javës së jashtëzakonshme të talentit kosovar Erblin Osmani, i cili debutoi me Kombëtaren e Kosovës në moshën vetëm 17-vjeçare.
Klubi bavarez ka veçuar rrugëtimin e Osmanit, i cili fillimisht festoi ftesën te Kosova dhe vetëm pak ditë më vonë u paraqit për herë të parë me Kombëtaren A.
Në ndeshjen ndaj Irlandës, Osmani u inkuadrua në minutën e 87-të, duke u bërë me 17 vjet, katër muaj e pesë ditë lojtari më i ri që ka debutuar për Kosovën.
“Debutimi për Kosovën ishte si një ëndërr. Gjithmonë kam dashur të luaj për Kosovën”, ka thënë Osmani pas ndeshjes.
Bayern Munich ka rikujtuar gjithashtu se talenti kosovar ka debutuar sezonin e kaluar në Bundesligë nën drejtimin e Vincent Kompany dhe së fundmi ka rinovuar kontratën me klubin.
Osmani është pjesë e akademisë së Bayern Munich që nga viti 2017 dhe tashmë po merr hapa të rëndësishëm drejt ekipit të parë.