Tuesday, 18. August 2026
Futboll

Conference League: Arbitrat shqiptarë do të drejtojnë dy sfida të rëndësishme

GS 18/08/2026 2 Min. Lesezeit

Një tjetër përfaqësim i rëndësishëm ndërkombëtar për arbitrat shqiptarë. UEFA ka caktuar trupa shqiptare arbitrimi për të drejtuar dy sfida të vlefshme për fazën play-off të UEFA Conference League.

Sfida mes Twente dhe Qarabağ do të zhvillohet të enjten, më 20 gusht, në orën 20:00, në stadiumin e FC Twente në Enschede, në Holandë.

Në krye të këtij takimi do të jetë arbitri shqiptar Juxhin Xhaja, i cili do të ketë në krah si arbitra asistentë Rejdi Avdon dhe Mario Shazivarin. Roli i arbitrit të katërt i është besuar Emanuela Rustës, ndërsa në sistemin VAR do të jetë italiani Gianluca Aureliano, me Albert Dodën si AVAR.

Në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë, një tjetër trupë shqiptare do të jetë në detyrë në Islandë, për sfidën Víkingur R. – Borac, që do të luhet në stadiumin Víkingsvöllur në Reykjavik.

Takimi do të drejtohet nga arbitri shqiptar Enea Jorgji, me Denis Rexhën dhe Ridiger Çokajn si arbitra asistentë. Arbitër i katërt do të jetë Florian Lata, ndërsa në sistemin VAR do të jetë holandezi Jeroen Manschot, me Olsion Yzeirajn në rolin e AVAR.

Caktimi i dy trupave shqiptare në sfida të fazës play-off të UEFA Conference League përbën një tjetër tregues të vlerësimit dhe besimit që UEFA vijon t’u japë arbitrave shqiptarë në arenën ndërkombëtare.

Teilen: