Tuesday, 4. August 2026
Futboll

Conference League: Dinamo ndalet në transfertë në Letoni. Kualifikimi vendoset në “Elbasan Arena”

GS 04/08/2026 1 Min. Lesezeit

Dinamo City u mund minimalisht nga Auda në ndeshjen e parë të raundit të tretë të UEFA Conference League. Në sfidën e zhvilluar në Riga, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja u mposht 1-0, duke lënë gjithçka të hapur për takimin e kthimit.

Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që krijuan raste, por pa arritur të gjenin rrugën e rrjetës. Në fillimin e pjesës së dytë, Dinamo City u shfaq më kërkuese dhe provoi të merrte avantazhin, por pa konkretizuar rastet e krijuara.

Skuadra letoneze kaloi në epërsi në minutën e 68-të me golin e Diedu. Situata u vështirësua edhe më shumë për dinamovitët, të cilët mbetën me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Përrndrecës. Deri në fund, rezultati mbeti i pandryshuar, me Audën që fitoi 1-0.

Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 11 gusht në ora 21:00 në stadiumin “Elbasan Arena”, ku Dinamo City do të kërkojë përmbysjen dhe kualifikimin në fazën play-off të UEFA Conference League.

Teilen: