Futbolli i femrave në Kosovë ka arritur një tjetër moment historik. Për herë të parë që nga pranimi në arenën ndërkombëtare, Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave do të garojë në fazën play-off të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.
Në selinë e UEFA-s u hodh shorti që përcaktoi rrugën e Dardaneve drejt ëndrrës botërore. Fati deshi që Kosova të përballet me Austrinë në gjysmëfinalen e play-offit, në një duel që premton emocione dhe sfidë të madhe për vajzat kosovare.
Ndeshja e parë do të zhvillohet më 9 tetor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku Dardanet do të kërkojnë të hedhin hapin e parë drejt kualifikimit, ndërsa takimi vendimtar i kthimit do të luhet katër ditë më vonë, më 13 tetor, në Austri.
Federata e Futbollit e Kosovës në ceremoninë e shortit u përfaqësua nga shefja e futbollit të femrave, Valbona Gashi Uka, dhe përzgjedhësja e Kombëtares, Xhuli Berisha.
Nëse arrijnë të eliminojnë Austrinë, Dardanet do të jenë vetëm një hap larg historisë. Në finalen e play-offit ato do të përballeshin me fituesin e çiftit Izrael – Zvicër, me ndeshjet vendimtare që janë planifikuar për datat 1 dhe 5 dhjetor.
Arritja në këtë fazë përfaqëson kulmin e një cikli të suksesshëm për Kosovën. Kombëtarja siguroi vendin në play-off pasi dominoi grupin e saj në Ligën C të kualifikimeve, duke e mbyllur fushatën në pozitën e parë.
Suksesi nuk përfundon këtu. Përveç kualifikimit historik në play-off, Kosova ka siguruar edhe promovimin në Ligën B për ciklin e ardhshëm, një dëshmi e progresit të vazhdueshëm dhe e rritjes së futbollit të femrave në vend.
Tashmë sytë janë drejt tetorit, kur Dardanet do të kenë mundësinë të vazhdojnë të shkruajnë kapituj të rinj në historinë e sportit kosovar dhe të afrohen më shumë se kurrë me skenën më të madhe të futbollit botëror.