Thursday, 30. April 2026
Sport

Drita regjistron fitoren e parë sezonale

GS 21/09/2025 2 Min. Lesezeit

Kampioni në fuqi i Kosovës, Drita, ka shënuar fitoren e parë në këtë edicion të Superligës, duke mposhtur Prishtinën e Re me rezultat 2-1, në sfidën e zhvilluar në stadiumin e tyre në Gjilan.

“Intelektualët” dominuan pjesën më të madhe të takimit dhe u shpërblyen me tre pikët e para, pas një performance më bindëse në krahasim me ndeshjet e kaluara.

Epërsia për Dritën erdhi në minutën e 32-të, kur Veton Tusha realizoi një gol spektakolar. Fatkeqësisht për gjilanasit, Tusha u detyrua të largohet nga loja pas një lëndimi, vetëm pak minuta pas golit.

Skuadra vendase nuk e uli ritmin dhe në minutën e 63-të, Arb Manaj dyfishoi epërsinë pas një aksioni të shpejtë dhe të mirëorganizuar.

Goli i vetëm për Prishtinën e Re erdhi në minutën e 83-të, me nigerianin Patrick Eze që realizoi për të ngushtuar rezultatin në 2-1, por ishte shumë vonë për mysafirët që të kthenin ndeshjen.

Pas kësaj fitoreje, Drita ngjitet në kuotën e pesë pikëve, një më pak se Prishtina e Re që mbetet me gjashtë.

Teilen: