FIFA ka hapur zyrtarisht një procedurë disiplinore pas incidenteve që shpërthyen në fund të finales së Kupës së Botës 2026, ku Spanja mundi Argjentinën me rezultat 1-0 pas vazhdimeve.
Pas vërshëllimës përfundimtare, festa e spanjollëve u shoqërua me përplasje mes futbollistëve të të dyja skuadrave. Në qendër të tensioneve ishin disa lojtarë të Argjentinës, veçanërisht Leandro Paredes dhe Nahuel Molina.
Pamjet e publikuara tregojnë Paredes duke u përfshirë në një përleshje me Eric Garcian, ndërsa më pas, së bashku me Thiago Almadan, rrëzon në tokë mesfushorin spanjoll Gavi. Ndërkohë, Molina duket se tenton të godasë me grusht Rodrin, i cili po festonte triumfin e Spanjës.
Edhe Nicolas Otamendi pati një përballje verbale me Rodrin, duke shtuar tensionin në një mbrëmje që përfundoi me skena kaotike.
Përmes një njoftimi zyrtar, FIFA konfirmoi se ka emëruar një Prokuror Disiplinor dhe të Etikës për të hetuar ngjarjet dhe për të përcaktuar nëse janë shkelur rregullat e Kodit Disiplinor.
Nëse futbollistët shpallen fajtorë për sjellje të dhunshme, ata mund të dënohen me të paktën tre ndeshje pezullim. Përveç lojtarëve, edhe Federata Argjentinase e Futbollit mund të përballet me masa disiplinore ose gjoba, në varësi të rezultateve të hetimit.
FIFA pritet të publikojë vendimin përfundimtar pasi të përfundojë procesi hetimor.