Sa herë që në llogarinë e Zlatan Ibrahimovic në Instagram shfaqen fjalët “Happy Birthday to Zlatan”, “Ferrari” ka arsye për të festuar. Edhe këtë vit, ish-sulmuesi i Barcelonës, Milanit dhe Juventusit i ka bërë vetes një dhuratë të jashtëzakonshme; “Ferrari F80”, modeli më ekstrem i markës italiane.
Edhe pse suedezi është ambasador i “Volvo”, kjo nuk e ka penguar të pasurojë garazhin e tij me disa prej “Ferrari” më të shtrenjtë dhe ekskluzivë. Në 45-vjetorin e tij, Ibrahimovic u bë një nga vetëm 799 pronarët e serisë së fundit speciale të “Ferrari”.
Një vit pritje për “F80” – Ibrahimovic kishte njoftuar që në tetor 2025 se blerja e tij e radhës do të ishte një “F80”, ndaj është dashur të presë rreth një vit për ta marrë në dorëzim. “Ferrari”, me sa duket, ka zgjedhur ta bëjë mbërritjen e makinës të përkojë me ditëlindjen e tij.
“F80” është një supermakinë plug-in hibride me dy vende dhe 1.200 kuaj fuqi. Ajo përshkon 0–100 km/h për vetëm 2.75 sekonda, ndërsa arrin shpejtësi maksimale prej 350 km/h.
Motori me djegie është V6, i mbështetur nga tre motorë elektrikë, kombinimi që i mundëson të arrijë fuqinë spektakolare prej 1.200 kuajsh. Ashtu si “SF90 Stradale”, “F80” mund të lëvizë edhe vetëm me energji elektrike dhe në heshtje të plotë.
Në koleksionin e Ibrahimovic tashmë gjenden makina si “Daytona SP3”, “812 Competizione”, “SF90 XX”, “SF90 Spider”, “Purosangue” dhe “Monza SP2”. Por “F80” pritet të ketë një vend të veçantë në këtë muze personal të Ibrahimovic.